Zyrtare, Cetkoviç largohet nga Partizani dhe gjen ekip në Mal të Zi

0
SHPËRNDAJE
Loading...

Pas largimit të mesfushorit Ylber Ramadani, i shitur në Danimarkë, Partizani ndahet edhe me një tjetër mesfushor, sepse nuk ka rinovim me fantazistin Marko Cetkoviç.

Malazezi, i cili u afrua te Partizani në janar, pas disa muajsh në Bosnjë-Hercegovinë te FK Sarajevo, ka mbyllur marrëdhëniet me klubin e kuq, sepse nuk ka gjetur marrëveshjen për rinovim, me palët që janë ndarë tek aspekti ekonomik.

Ka qenë vetë Cetkoviç ai që ka zyrtarizuar ndarjen, me një postim në Facebook ku falënderon tifozët, stafin dhe shokët te Partizani, ndërsa i uron klubit suksese në Europa League dhe Kategorinë Superiore.

Jo vetëm kaq, pasi Marko Cetkoviç i ka dhënë lamtumirën jo vetëm Partizanit, por edhe futbollit shqiptar. Mesfushori malazez është kthyer në shtëpi, sepse sot ka firmosur për Mlladostin, klub nga Podgorica.

Mladost në sezonin e fundit luftoi deri në fund për titull, që e humbi në mënyrë të pabesueshme, sepse vetëm takimet direkte me Buduçnost kampion dhe Zetën e lanë në vendin e tretë. Tashmë Mladost po përforcohet për ndeshjet në Europa League dhe Cetkoviç është afrimi i tretë veror.

Te Mladost Cetkoviç bashkohet me trajnerin Dejan Vukiçeviç, me të cilin ka punuar edhe te Zeta dhe Buduçnosti, duke u shpallur dy herë kampion i Malit të Zi. /minuta90.com/

S'KA KOMENTE

Comments are closed.