Zyrtare, Gerd Haxhiu emërohet trajner i Korabit

0
SHPËRNDAJE

Gerd Haxhiu do të jetë trajneri i ri i Korabit. Kështu, merr fund “telenovela” e krijuar pas largimit të Artan Mërgjyshit. Tekniku, që jemi mësuar ta shohim edhe në rolin e analistit sportiv nëpër televizione, ka pranuar të drejtojë debutuesit në Superiore, të cilët u refuzuan nga Shpëtim Duro.

Haxhiu do të vihet që sot në krye të dibranëve, në stërvitje, me besimin për të ndryshuar situatën dhe për ta larguar Korabin nga fundi i Superiores. Kuptohet, objektivi që i është ngarkuar Haxhiut është qëndrimi në elitë, pra mbijetesa në Kategorinë Superiore.

Ish-futbollisti i Flamurtarit nuk e ka për herë të parë detyrën e trajnerit. Përkundrazi, ai është goxha i shëtitur në skuadrat shqiptare.

Kulmet e tij në këtë profesion mbeten Partizani dhe Skënderbeu, edhe pse në Kategorinë e Parë, ndërsa ka drejtuar edhe Apoloninë, Bylisin, Besën dhe Luftëtarin. Kujtojmë se ndeshjen e javës së 10-të, dibranët i drejtoi Artion Poçi, ish-ndihmësi i Mergjyshit.

Haxhiu do ta nisë në një transfertë të vështirë, me kampionët korçarë, ku marrja e pikëve duket një mision thuajse i pamundur. Aktualisht, Korabi mbyll renditjen e Superiores, me 5 pikë, teksa ka 1 fitore, 2 barazime dhe 7 humbje, me golaverazhin negativ 4-14. /minuta90.com/

S'KA KOMENTE

Comments are closed.