Zyrtarizohet kalendari i javës së 23, dueli i titullit Kukësi-Partizani luhet të dielën

0
SHPËRNDAJE

FSHF ka bërë sot zyrtar kalendarin e ndeshjeve për këtë fundjavë në Kategorinë Superiore. Duelet e javës së 23-të do të jenë të ndara mes ditës së shtunë dhe të diel ku në këtë të fundit, do të luhet një nga sfidat më delikate dhe ndoshta përcaktuese në rrugën drejt titullit kampion.

Të shtunën do të luhen dy ndeshje në orën 14:00. Janë sfidat Luftëtari-Laçi dhe Teuta-Korabi, të cilat parashikohet të jenë me shumë rivalitet pasi përfshijnë skuadrat që notojnë në fundin e tabelës së klasifikimit. Këto ndeshje pritet të transmetohen në SuperSport 3 HD dhe SuperSport 4 HD.

Ndërkaq, gjirokastritët luajnë për të konsoliduar vendin e katërt në renditje, i cili edhe mund të sigurojë Europën në fund të këtij sezoni.

Në orën 17:00 të së shtunës, Skënderbeu ka shansin që të rimarrë kreun e klasifikimit të Superiores. Korçarët luajnë përballë Vllaznisë në “Loro Boriçi” dhe nëse fitojnë, do të jenë në vendin e parë në renditje, në pritje të Kukësit që luan një ditë më vonë.

Verilindorët zhvillojnë të dielën në orën 14:00 duelin ndoshta më përcaktues të Superiores ndaj Partizanit, një prej rivalëve për titullin kampion. Shumëkush e sheh këtë sfidë si provën e vërtetë të aftësive të të dy skuadrave dhe vetëm ndeshja në “Zeqir Ymeri” do të tregojë se kush ka të drejtë në fund.

Java mbyllet me një duel tjetër delikat të dielën, atë mes Tiranës dhe Flamurtarit, dy skuadrave që vijnë pas serive negative falë të cilave kanë dalë jashtë i objektivave sezonal në kampionat. /minuta90.com/

Të shtunën

Luftëtari-Laçi 14:00

Teuta-Korabi 14:00

Vllaznia-Skënderbeu 17:00

Të dielën

Kukësi-Partizani 14:00

Tirana-Flamurtari 17:00

S'KA KOMENTE

Comments are closed.