Kamza/ Plaku: Ndaj Laçit shanse të barabarta

0
SHPËRNDAJE

Superiorja/ Sulmuesi që u rikthye ndaj Flamurtarit flet për gjendjen e tij dhe për ndeshjen e radhës me kurbinasit në transfertë

Vladimir Prenga

Kamza u mposht në Vlorë, ndërkohë që prej ditësh ka nisur përgatitjet për ndeshjen e radhës, sërish në transfertë dhe ndaj një ekipi si Laçi, që po bën mirë në kampionat dhe është mbi skuadrën e Ndreut në tabelën e klasifikimit.

Pavarësisht humbjes me Flamurtarin, optimizmi në skuadrën e Kamzës nuk mungon. Për trajnerin Ndreu i gatshëm është edhe sulmuesi Sebino Plaku, që në Vlorë u aktivizua në pjesën e dytë. Tashmë ai mund ta nisë edhe nga fillimi, pasi kondicioni fiziku i tij është më i lartë. Gjithsesi është trajneri Ndreu ai që vendos se kush luan dhe kush jo. Sulmuesi 32-vjeçar, për “Sport Ekspres” flet në lidhje me gjendjen e tij, që po vjen në rritje nga seanca në seancë.

“Tashmë jam rikthyer dhe gjendja ime sportive dhe fizike po vjen në rritje. Në fakt ishte programuar që të bëhem gati për katër javë, por ndodhi më shpejt dhe normalisht kjo më kënaq. Në Vlorë dolëm pa pikë, ndërkohë që tani po mendojmë për sfidën e radhës, atë në transfertë me Laçin”, deklaron Plaku. Më tej sulmuesi flet për ndeshen me kurbinasit dhe parashikon një ndeshje të hapur:

“Bëhet fjalë për një ekip të mirë, të cilin ne e vlerësojmë maksimalisht. Laçi është njohur gjithmonë si një ekip fushe, por tashmë shumë gjëra kanë ndryshuar. Në fushën e tyre mund të luash lirisht futboll, tifozët janë korrektë dhe luhet në një fushë të mirë, ndaj edhe parashikoj një ndeshje të hapur. Ne do të shkojmë atje për të bërë lojën tonë dhe normalisht do kërkojmë të marrim pikë.

Fusha e blertë do të vendosë gjithçka. Do bëjmë më të mirën tonë gjatë seancave stërvitore, që të jemi gati për ndeshjen e së hënës”, përfundoi Plaku. Gjatë verës skuadra e Kamzës është përballur dy herë në miqësore me Laçin, por sulmuesi nuk është aktivizuar, pasi ende nuk kishte zgjidhur kontratën me Skënderbeun. Kurbinasit i kanë fituar ato takime, por tashmë gjithçka ndryshon, pasi luhet për kampionat dhe mobilizimi është tjetër.

Sebino Plaku
Sebino Plaku ,Kapiteni Kamzes
Sebina Plaku i bashkohet Skënderbeut në kompleksin “Tropikal”

S'KA KOMENTE

Comments are closed.