Luftëtari/ Beqiri: Ndaj Lushnjës fillon kthesa

0
SHPËRNDAJE

Superiorja/ Mbrojtësi i Luftëtarit vlerëson paraqitjen e ekipit në ndeshjet e fundit dhe shpreh bindjen se këtë javë do të vijë fitorja e munguar

Gëzim Beqiri

Në tri ndeshjet e fundit ndaj Partizanit, Kukësit dhe Skënderbeut, Luftëtari ka pësuar po kaq humbje, me një goleverazh negativ –7. Ajo që përbën më shumë shqetësim për trajnerin Hasan Lika është se skuadra zhvillon lojë, krijon raste, por nuk ka mundur të shënojë asnjë prej tyre, duke u mjaftuar me tre goditje shtyllash.

Trajneri Lika nuk mund të ngarkohet me përgjegjësinë e humbjeve për aq kohë sa ka në stolin gjirokastrite. “Na mungon lojtari që duhet të shtyjë topin në rrjetë”, – shprehet Lika, duke pranuar njëkohësisht se ka probleme edhe në mbrojtje, ku në momente të veçanta mungon përqendrimi. Luftëtari ka luajtur si i barabartë, sidomos me Kukësin dhe Skënderbeun, por i ka munguar konkludimi.

Tani ka një kalendar më të favorshëm, pasi do të luajë tre takime radhazi në fushën e vet, me Lushnjën, Teutën dhe Laçin. Ajo që u tha futbollistëve trajneri Lika në stërvitjen e djeshme është se nuk ka vend për nënvlerësim, sepse të gjithë ekipet e Superligës janë të vështira për t’u mundur, siç tregojnë edhe rezultatet e deritanishme. Ndaj Lushnjës nuk ka asnjë mungesë titullarësh, pasi rikthehen Albano Aleksi dhe Bruno Toledo, të cilët munguan ndaj Skënderbeut.

KAPITENI BEQIRI – Orjad Beqiri, kapiteni i skuadrës gjirokastrite, për ndeshjen e humbur në Korçë dhe të ardhmen e Luftëtarit, është shprehur: “Luftëtari do të kthehet te rezultati pozitiv. Pavarësisht mungesës së pikëve, javët e fundit kemi ditur të mbrohemi mirë dhe të krijojmë raste shënimi, edhe pse përballë kemi pasur kundërshtarë shumë të vështirë. Duhet pranuar se kemi gabuar në momente të shkëputura të lojës, ndaj dhe jemi ndëshkuar, por mendoj se rezultatet e tri ndeshjeve të fundit nuk i përgjigjen lojës që kemi zhvilluar. Në futboll kjo gjë ndodh, por nuk do të thotë se do të vazhdohet kështu. Jemi duke punuar që të eliminojmë mangësitë. Kalendari i javëve të fundit ka rezultuar një “ferr” i vërtetë për ne, por kam shumë besim se do të reagojmë në përballjet e shtëpisë. Me më shumë përgjegjësi dhe përkujdesje si në mbrojtje, ashtu dhe në sulm, në takimet e radhës Luftëtari do të dijë të kthehet te fitorja, duke “prishur” mallkimin e rasteve të humbura, pa harruar se pas ka një fortesë të fuqishme. Me shpirt gare dhe sakrificë do të arrijmë të rikthejmë imazhin e humbur në javët e fundit. Me Lushnjën apo ekipe të tjera nuk do të jetë e lehtë, përkundrazi na duhet përqendrim dhe korrektësi në lojë, sepse e dimë që edhe ata vijnë për të marrë pikë. Do të mundohemi ta zhbllokojmë sa më shpejt rezultatin, sepse të gjitha ekipet, sidomos në Gjirokastër, luajnë të mbyllur në mbrojtje. Besoj se nuk do të godasim prapë shtyllat. Krahas stërvitjes, po punojmë edhe në aspektin moral, sepse loja e bukur nuk na ka munguar dhe me pak kujdes do të kthehemi te fitoret për të përmbushur objektivin që kemi këtë sezon, qëndrimin në Superligë”.

S'KA KOMENTE

Comments are closed.