OPINION / Stadiumet pa tifozë, si futbolli pa top…

0
SHPËRNDAJE
loading...

OPINION / Ka kohë që komisionet përkatëse juridike pranë FSHF-së po dënojnë radhazi tifozëritë e ekipeve të ndryshme, për të mos qenë të pranishme në ndeshjet e skuadrave të tyre të zemrës. Në fakt, me ato çka sheh nga java në javë në stadiumet shqiptare, ku në kor shahen në mënyrën më banale e më të neveritshme motra, nëna, gruaja, vajza, familja e gjithkujt, ku sherret pothuajse mbijnë nga hiçi, ku konfrontimet mes tifozërive rivale i ngjajnë periudhës së paleolitit, pasi nuk reshtin betejat me gurë e drurë, ku para e pas ndeshjes sulmohen autobusët e ekipeve mike dhe ato të tifozërive po të tilla, ku stola e shumëçka tjetër e stadiumeve tona, që mezi po i rikonstruktojmë e po i sjellim në terezi, thyhen e vandalizohen dhunshëm, ku ende në fushën e lojës e në drejtim të futbollistëve, pankinave, gjyqtarëve etj. vazhdojnë të hidhen sende e objekte të ndaluara, të cilat rrezikojnë seriozisht deri jetën e tyre, ku fishekzjarrët e flakadanët mirë që s’na djegin të gjallë, ku parrulla e thirrje nga më të pabesueshmet po bëhen gjithnjë e më të frikshme e nxitëse të hapura të dhunës, ku deputetë, ministra e shtetarë tifozë po shfrytëzojnë postet e tyre, duke ndërhyrë në mënyrë flagrante në sport e duke insistuar që edhe këtu të udhëheqë e diktojë politika, ku ndeshjet po shiten e po blihen në mes të ditës etj. etj., natyrshëm thua: epo mirë ua bëjnë, që i dënojnë dhe pak e kane, madje.

Por, nëse personalisht jam armik i betuar i dhunës e politikës në sport, nuk jam e nuk mund të jem kurrsesi për t’i futur të gjithë në një thes, pra për dënime të tilla absurde kolektive. Askush nuk ka asnjë të drejtë morale, apo edhe ligjore, që sot, në shekullin e 21-të, kur çdo gjë ka evoluar kaq shumë, në të gjitha drejtimet, t’i bie fare shkurt, duke aplikuar dënime të tilla kolektive, që sot ndodhin vetëm në vendet tipike diktatoriale, apo komuniste, fjala vjen siç bën e siç vepron ai ko*ja i Koresë së Veriut.

Çdo gabim, faj, mëkat a krim ka një person prapa tij, ka një fajtor, i cili ka emër e mbiemër, dhe për atë që bën duhet të përgjigjet. Sot, për t’i verifikuar e identifikuar autorët, apo keqbërësit, falë teknologjisë së kohës është më e lehtë se kurrë. Ne themi shyqyr që tifozët po na vijnë në stadium. Dihet që një stadium pa tifozë i përngjan një loje futbolli pa top, pasi përse luhet në fund të fundit. Ndaj, dënimet kolektive duhet të marrin fund njëherë e mirë, si një praktikë disiplinore që më shumë dëmton se sa ndihmon në parandalimin e dhunës në stadiumet tona.

Së fundi, por jo e fundit, vetë klubet e shoqatat e tyre të tifozëve kanë ende shumë për të bërë e ndrequr gjëra mes tyre, në mënyrë që nesër të mos e pësojnë sërish.

S'KA KOMENTE

Comments are closed.