Shaqiri: Jam krenar. Në jetë duhet besim…

0
SHPËRNDAJE

Champions league/ Liverpuli bëri një ndër përmbysjet më të pabesueshme një natë më parë, me “The Reds”, që shkatërruan Barcelonën me shifrat 4-0, duke e bërë të pavlefshme fitoren e fazës së parë 3-0 të katalanasve.

Një ndër protagonistët absolutë ishte edhe Xherdan Shaqiri, i cili foli pas sfidës mjaft i emocionuar. Djaloshi nga Gjilani tha se diçka e tillë nuk i kishte ndodhur kurrë dhe se ndihej jashtëzakonisht krenar për ekipin e tij dhe për arritjen e bërë.

“Është e vështirë të gjesh fjalët pas një ndeshje të tillë. Jam pafundësisht krenar për ekipin dhe për atë çfarë arritëm të bënim. Nuk patëm një javë të lehtë, pasi patëm edhe dëmtimet, por ne donim të luanim ndeshjen tonë. Jam i shokuar dhe jashtëzakonisht krenar. E vetmja gjë që mund të them është, se kurrë nuk kam përjetuar diçka të tillë më parë.

Mendoj se në jetë gjithmonë duhet të besosh. Kjo vlen kudo, në futboll dhe në jetë. Besimi duhet të jetë gjithmonë edhe nëse të gjithë mendojnë se nuk do të arrihet. Besimi ishte te ne dhe bëmë gjithçka që mundëm, më pas ndodhi ajo që ndodhi. Është e vështirë të flasësh tani, pasi jemi akoma të shokuar nga ajo çfarë ndodhi.

Është unike dhe diçka që nuk ndodh çdo ditë. Nuk ka qenë e lehtë për mua këto 3 muajt e fundit. Nuk kam luajtur shumë, por gjithmonë kam pritur për momentin tim dhe jam stërvitur fort. Është një ndër klubet më të mëdhenj dhe duhet të bësh diferencën”, përfundoi Shaqiri.

Shaqiri duke festuar me Klop

S'KA KOMENTE

Comments are closed.